Çifti i të rinjve ishin dy nga viktimat e tragjedisë me tërmetin që shkundi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Almir Cara dhe Lorena Steneci, janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e një godine të shembur në Thumanë, teksa banesa e tyre është shkatërruar.

Mësohet se Lorena dhe Almiri ishin të fejuar ndërsa pabesia e natyrës ua ndërpreu jetën tregjikisht një ditë më parë.

Lorena jetonte vetëm me të ëmën dhe vëllanë, ndërsa dy net më parë ndodhej në banesën e të fejuarit të saj në Thumanë.

Shtatë prej nëntë pjesëtarëve të familjes Cara u shuan në tërmetin tragjik të së martës. Albert Cara, një prej të mbijetuarve ndodhet i dëmtuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Ai nuk e di ende që 3 fëmijët e tij, 2 djemtë dhe një vajzë, së bashku me bashkëshorten, nuk jetojnë më, ashtu sikurse edhe e fejuara e një prej djemve.

Familja jetonte në katin e 5 të një pallati në Thumanë, që është rrënuar tërësisht. Në katin e katërt jetonin pjesëtarë të tjerë të familjes Cara. Nga kjo familje humbën jetën vajza e xhaxhait të Albertit, Lindita. Vajza e saj, së bashku me të ëmën, humbën po ashtu jetën.