Kryetarja e sapozgjedhur e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, sot në mesditë do të japë deklaratë solemne në seancën inauguruese në Kuvendin e Maqedonisë, në pajtim me nenin 81, paragrafin 9 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Seanca u caktua pasi Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) shpalli përfundimin e rezultateve për zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 24 prill dhe 8 maj dhe raportin e dorëzoi në Kuvend.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, Siljanovska-Davkovës ia dorëzoi Certifikatën për Presidente të zgjedhur të Republikës së Maqedonisë dhe në emër të Komisionit dhe i uroi sukses.

Ajo deklaratën solemne do ta bëjë para deputetëve të përbërjes së vjetër parlamentare, pas së cilës do të fillojë mandati i saj presidencial pesëvjeçar. Postin presidencial do ta marrë nga Stevo Pendarovski, kundërshtari i saj në këto dhe zgjedhjet e mëparshme të vitit 2019, mandati i të cilit skadon nesër.

Profesoresha universitare Gordana Siljanovska-Davkova do të jetë presidentja e gjashtë e vendit dhe gruaja e parë e zgjedhur në këtë pozitë.