Sot në Londër do të nënshkruhet Marrëveshja e Partneritetit Strategjik ndërmjet qeverive të Republikës së Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila do t’i vë në dispozicion të vendit vëllimin më të madh të mjeteve ndonjëherë prej pesë miliardë funte për realizimin e projekteve kapitale.
Marrëveshja do të nënshkruhet nga zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit Aleksandar Nikolloski dhe ministri britanik i ekonomisë dhe eksportit Gareth Thomas, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Londra.
Nikolloski, i cili kryeson delegacionin qeveritar, në të cilin janë zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ministrja e Arsimit Vesna Janevska dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturë Hekurudhore, Sinisha Ivanovski, dje zyrtarisht filloi vizitën e tij në kryeqytetin britanik me një takim me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Financave.
Me kënaqësi mund të them se këto pesë miliardë paund apo gjashtë miliardë euro i janë vënë patjetër në dispozicion Maqedonisë pas këtij takimi. Ato mund të përdoren për financim të projekteve, janë të lidhura me projekte, që do të thotë se do të sjellin vlerë të shtuar për Maqedoninë, tha Nikolloski pas takimit.
Ai përkujtoi se bëhet fjalë për projekte në fushën e transportit, shëndetësisë, arsimit, energjisë, teknologjisë, si dhe në fushën e mjedisit. Deri më tani janë diskutuar dhe janë konfirmuar tre grupe projektesh – hekurudha e shpejtë në Korridorin 10, nga Tabanovce në Gjevgjeli, pastaj ndërtimi i spitaleve në Kërçovë, Tetovë dhe Shtip, dhe i treti, ndërtimi i fakultetit të mjekësisë dhe i konviktit studentor në Shtip.
Nikoloski tha se pas nënshkrimit të marrëveshjes qeveri me qeveri dhe ratifikimit që do të pasojë në Kuvendin e Maqedonisë, do të fillojnë diskutimet zyrtare për mënyrën e financimit dhe mënyrën e realizimit të këtyre projekteve dhe shumë shpejt do të bëhen të ditura detajet rreth tyre.
Ai sqaroi procesin e ratifikimit në të dy vendet.
Në vendin tonë marrëveshja do të ratifikohet në parlament, ndërsa në Britaninë e Madhe miratohet nga Qeveria. Më pas marrëveshja hyn në fuqi dhe tashmë hyjmë në diskutime dhe negociata zyrtare për realizimin e projekteve. “Kam thënë se ambicia ime është që gjatë verës të kemi marrëveshje dhe në fund të vjeshtës të punojmë në terren”, tha zëvendëskryeministri Nikolloski.
Gjatë takimit të djeshëm ai ka pasur në rend dite edhe disa takime politike, si dhe është takuar me drejtorin e linjës ajrore irlandeze Ryanair, në të cilën është biseduar për mundësinë e fluturimeve të reja drejt vendit.
Marrëveshja që do të nënshkruhet sot u miratua nga qeveria maqedonase në fillim të kësaj jave, pasi kryeministri Hristijan Mickoski dhe homologu i tij britanik Keir Starmer arritën një marrëveshje për një partneritet strategjik në një takim të zhvilluar në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.
Marrëveshja e Partneritetit Strategjik midis dy vendeve, e cila konsiderohet historike, është rezultat i negociatave intensive disa mujore midis ekipeve diplomatike dhe ekspertëve nga të dyja palët dhe është një konfirmim i një angazhimi konkret dhe afatgjatë për forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe bashkëpunimin ekonomik me Mbretërinë e Bashkuar.
Comments are closed for this post.