Ndonëse iu bashkua Napolit që në verën e kaluar, Amir Rrahmani vetëm dje pati mundësinë të luajë nga minuta e parë me fanellën e kaltër, por debutimi nuk i shkoi aspak mirë, pasi qëndroi në fushë për vetëm 45 minuta.

Një kthim i topit në mënyrë të gabuar te portieri Ospina, i kushtoi golin e barazimit Napolit, por peshoi shumë edhe te kapiteni i Kosovës, që fillo të bëjë disa gabime radhazi dhe Gattuso e la në dhomat e zhveshjes kur përfundoi pjesa e parë.

Pas takimit trajneri i Napolit pranoi se Rrahmani ishte në vështirësi, ndaj edhe e riktheu në pankinë, por foli me superlativa për mbrojtësin dhe tha se do të ketë mundësi të tjera për të treguar veten në fushë.

“Amir është një profesionist i jashtëzakonshëm dhe sigurisht që do të ketë shumë mundësi të tjera për të treguar veten në fushën e lojës. Dje po haste shumë vështirësi, ndaj e zëvendësova”, tha Gattuso pas ndeshjes.

Pasi kishte zhgënjyer tri ditë më parë me Spezian në shtëpi, Napoli edhe dje fitoi në “frymën e fundit” ndaj Udineses, ndërsa Gattuso pranoi se skuadra bën gabime të përsëritura dhe shpesh nuk e vlerëson sa duhet rrezikun.

“Unë nuk shqetësohem për gabimet teknike, pasi ato mund t’i ndodhin kujtdo. Thjesht ne nuk nuhasim sa duhet rrezikun dhe shpesh nënvlerësojmë situatat. Na ndodhi kështu ndaj Spezias, ku u ndëshkuam dhe mund të na kishte ndodhur edhe sot. Duhet të jemi më afër njëri-tjetrit dhe të vlerësojmë maksimalisht çdo aksion të kundërshtarit”, u shpreh trajneri Gattuso.