Drejtoria për të Ardhura Publike sot ka publikuar të dhëna në lidhje me të ardhurat e qytetarëve.

Sipas DAP, një qytetare nga Shkupi është më e pasura në Maqedoni me të ardhura vjetore bruto prej 17.1 milionë euro. Ajo në vitin 2018 në DAP ka paraqitur të ardhura bruto prej 1.056.992.055 denarë ose 17.1 milionë euro.

E dyta në listë është gjithashtu një banor i Shkupit, i cili ka paraqitur të ardhura prej 453.517.731 denarëve ose 7.3 milionë euro.

Në mesin e dhjetë personave me të ardhura më të larta është edhe një qytetar nga Gjevgjelia me 4.8 milionë euro, një tjetër nga Strumica me 4 milionë euro dhe një nga Tetova me 3.6 milionë euro.

Siç njoftuan nga DAP, paga më e madhe bruto e paguar në vitin 2018 është paguar në sektorin e shëndetësisë dhe ka qenë 183.806.532 denarë ose 2.9 milionë euro.

Edhe pensionisti më i pasur është nga Shkupi, i cili vitin e kaluar ka marrë 93 mijë euro bruto.

Drejtoresha e DAP Sanja Lukarevsa, tha se gjatë vitit 2018 janë regjistruar të ardhura të larta edhe tek personat më të rinj.

“Personi më i moshuar që ka pasur të ardhura më të larta prej një milionë denarë ka pasur 99 vjet, ndërsa tani ka ndërruar jetë. Ndërsa një foshnje që është lindur në vitin 2018 ka pasur të ardhura prej një milion denarëve. Kurse i pari tek më të rinjtë është një 21-vjeçar me të ardhura prej 10 milionë denarëve”, tha Llukarevska.

DAP ka përgatitur raport të të ardhurave për 795.953 qytetarë, të cilët kanë paraqitur 309.058.476.787 denarë të ardhura bruto.