22 nëntori për herë të parë këtë vit është shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. Shqiptarët e quajnë nëntorin si muajin e tyre, me festat e datave 28 dhe 29 kur është shpallur pavarësia dhe çlirimi i Shqipërisë. Mirëpo, historia e zyrtarizimit të shtetit shqiptar nis që më 22 nëntor të vitit 1908, ku Kongresi i Manastirit standardizoi alfabetin e gjuhës shqipe, që sot përkujtohet si dita e alfabetit. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata.

Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe. Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.