Organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi të martën Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018, i cili thekson se dështimi i vazhdueshëm i shumicës së vendeve për të kontrolluar korrupsionin, është duke kontribuar në një krizë të demokracisë në gjithë botën.
Indeksi, i cili radhit 180 vende dhe territore në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik, përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër.
Maqedonia ka shënuar përparim, duke u radhitur në pozitën 93 nga 107 sa ka qenë vitin paraprak. Organizata thotë se pritjet anti-korrupsion në këtë vend, që është i interesuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, janë ta larta.
Maqedonia është vendosur në grupin e shteteve për t’u vëzhguar në vitet e ardhshme së bashku me Bosnjën e Hercegovinën, Turqinë, Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Armeninë. Prej këtyre, vetëm Armenia ka trend pozitiv, edhe atë falë ndërrimit të qeverisë.
Nga vendet e Ballkanit me korrupsion të lartë janë renditur edhe shtetet si Kosova dhe Shqipëria.
Në aspektin global, Danimarka dhe Zelanda e Re janë në krye të indeksit me 88, respektivisht 87 pikë. Somalia, Sudani Jugor dhe Siria janë në fund të indeksit me 10 dhe dy të fundit me nga 13 pikë.
Comments are closed for this post.