Nga dje ka hyrë në fuqi vendimi i Bashkimit Evropian për dhënien e ndihmës makro-financiare për Maqedoninë, në vlerë prej 100 milionë eurosh, me qëllim përballimin e pasojave të shkaktuara nga lufta në Ukrainë. Ndihma do të jepet në formën e kredive në dy këste, por disbursimi i tyre do të varet nga reformat e politikave në fushat e menaxhimit fiskal, politikës tatimore, menaxhimit të investimeve publike, partneriteteve publiko-private, mjedisit të biznesit, transparencës në ndihmën shtetërore, reformat në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit, si dhe nga zbatimi i programit të FMN-së.
Komisioni Evropian (KE) konsideron se ka të drejtë të marrë ndihmë makro-financiare nga Unioni si “instrument financiar i jashtëzakonshëm për mbështetjen e bilancit të pagesave, i cili synon t’i përgjigjet nevojave imediate për financim të jashtëm” dhe për zbatimin e masave për përshtatje të menjëhershme dhe reforma strukturore për përmirësimin e pozicionit të bilancit të pagesave në afat të shkurtër. “Në rrethanat aktuale të jashtëzakonshme, ndihma makro-financiare e Unionit për Maqedoninë do të jetë një përgjigje adekuate ndaj kërkesës së vendit për mbështetje për stabilizimin e ekonomisë. Ndihma makro-financiare e Unionit do të mbështesë agjendën e reformave strukturore të Maqedonisë, duke plotësuar burimet e vëna në dispozicion sipas marrëveshjes financiare të FMN-së. Ndihma makro-financiare e Unionit duhet të synojë të mbështesë rivendosjen e gjendjes së qëndrueshme me financimin e jashtëm të Maqedonisë, dhe në këtë mënyrë të mbështesë zhvillimin e saj ekonomik dhe social”, njoftoi Komisioni.
Më tej në dokument thuhet se përcaktimi i shumës së ndihmës makro-financiare të Unionit për vendin duhet të bazohet në një vlerësim sasior të nevojave të mbetura për financim të jashtëm dhe të marrë parasysh kapacitetin e vendit për të financuar me burimet e veta, veçanërisht me rezervat valutore me të cilat disponon. “Gjatë përcaktimit të sasisë së ndihmës, kontributet e pritshme financiare nga donatorët shumëpalësh dhe nevoja për të siguruar një ndarje të drejtë të barrës ndërmjet Unionit dhe donatorëve të tjerë, si dhe vendosja e mëparshme e instrumenteve të tjera financiare të jashtme të BE-së dhe vlera e shtuar duhet të merret parasysh përfshirja e përgjithshme e Unionit në Maqedoni”, shtohet në dokument.
Comments are closed for this post.