Inflacioni në Eurozonë është ulur ndjeshëm në maj duke rënë në 6.3% nga 7% që ishte në muajin prill sipas Eurostat. Megjithatë, edhe pse u ngadalësuan muajin e kaluar, sërish çmimet e artikujve ushqimorë veçanërisht vijojnë të jenë të larta dhe rezultuan 12.5% më të shtrenjta se një vit më parë.
Ecuria e inflacionit në eurozonë u ndikua së tepërmi edhe nga ulja e çmimeve të energjisë që ranë me 1.7%, pas një rritje prej 2.4% që shënuan në prill. Ekonomistët shprehen se do duhet të kalojë akoma më tepër kohë që konsumatorët të shohin nivele më normale të inflacionit që të reflektohen edhe në etiketat e çmimeve nëpër dyqane.
Me gjithë kthesën e shënuar, norma e inflacionit vijon të jetë e lartë dhe Banka Qendrore Europiane pritet të miratojë një tjetër rritje të normës së interesit në mbledhjen e saj që do të mbahet më 15 qershor për të zbutur efektet që po shkakton kriza e fortë e çmimeve.
Çmimet e larta që po përballet Europa dhe jo vetëm kanë bërë që të rriten presionet nga punonjësit për paga më të larta për të përballuar kostot e rritura që prej marsit të vitit të kaluar për shkak të luftës në Ukrainë.
Comments are closed for this post.