Policia ia ka ndaluar hyrjen në Kosovë grupit të tifozëve të klubit Buduçnost “Varvari” (barbarët).
Kjo u bë në bashkëpunim me Policinë e Malit të Zi.
Muhamet Rexhepi, sekretar i klubit “Llapi” tha për Klankosova.tv se vendimi është marrë për shkak të rrezikut se situata mund të eskalojë.
“Tifozëve të Buduçnostit iu është ndaluar hyrja. Vendimi është marrë nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me policinë e Malit e Zi. Kjo për shkak se tifozët kishin bërë provokime të vazhdueshme dhe se mund të ishte rrezik që situata të eskalonte” – tha Rexhepi.
Tifozët malazezë, në ndeshjen e kaluar i kishin ofenduar futbollistët e klubit kosovar me kore nacionaliste.
Po ashtu tifozët kishin bërë edhe provokime të tjera duke bërë publikime që e shfaqnin Kosovën si “pjesë të Serbisë”.
Sonte me fillim nga ora 20:00 në “Fadil Vokrri” Llapi do të luajë ndeshjen e kthimit të rrethit të parë të fazës kualifikuese të Conference League, kundër Buduçnostit.
Ndeshjen e kaluar llapjanët humbën me rezultat 2:0.
Sonte ekipi kosovar do të mundohet që ta përmbys rezultatin dhe të kalojë në rrethin e dytë.
Të pranishëm sipas njoftimit të Llapit, në stadium do të jenë mbi 10 mijë tifozë.
Comments are closed for this post.