Viti që po lemë pas e ktheu Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni (ITSHK) në një ombrellë të zhvillimeve kryesore kulturore e shkencore të shqiptarëve të Maqedonisë dhe në një urë lidhëse me qendrat tjera kryesore shqiptare albanologjike, në Prishtinë dhe në Tiranë. Kështu u shpreh ministri i Arsimit dhe Shkencës, dr. Arbër Ademi, gjatë promovimit të veprimtarisë njëvjeçare që kishte organizuar sot ITSHK-ja. Por nuk ka munguar as kujdesi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndaj këtij institucioni.
“Duke e parë seriozitetin e punës së ITSHK-së, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë, gjatë vitit 2018 e ka shtuar ndjeshëm përkrahjen financiare, për të realizuar programin ambicioz që kanë paraqitur drejtuesit e tij. Njëkohësisht, gjatë këtij viti kemi mundësuar edhe rritjen e numrit të punëtorëve shkencorë për gjithsej 11 vende, me çka ndjeshëm janë përforcuar kapacitetet kadrovike, për punë edhe më të mëdha gjatë periudhës së ardhshme”, deklaroi ministri Ademi. Ai, bëri gjithashtu të ditur se MASH ka filluar angazhimet për zgjidhjen e problemit të kamotshëm të këtij Instituti, që ka të bëjë me pronësinë e objekti, ku më parë ndodhej Ambasada amerikane.
“Procesi është duke ecur mjaft mirë, dhe presim që shumë shpejt të zgjidhet edhe kjo çështje, me çka ky Institut do të ketë tapinë e merituar, që të mund të realizojë pa pengesa të gjithë Programin e planifikuar të punës hulumtuese-shkencore”, plotësoi më tej ai.
2018-ta përkoi edhe me shumë jubile të rëndësishëm kulturor e historik, duke nis me 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, për të vazhduar me 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, dhe u përmbyllën një muaj më parë me manifestimet kushtuar 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit. “Por edhe në mes këtyre përvjetorëve, Instituti shqiptar i Shkupit shkëlqeu me punë dhe veprimtari të shumanshme, duke promovuar trashëgiminë tonë kulturore e historike nëpër qendrat kryesore të botës. Realizimi i dhjetëra e dhjetëra projekteve hulumtuese dhe botuese, e bënë këtë Institut të ngre në nivele të lakmueshme reputacionin në botën akademike – shkencore”, vlerësoi ministri Ademi. Për këtë sukses flasin veprat, u shpreh ai, ndërsa përgëzoi drejtuesit e ITSHK-së dhe gjithë punëtorët shkencor, që me angazhimin e tyre maksimal e profesional, kanë bërë që sot të ndihemi krenar me punën e tyre.
Comments are closed for this post.