Akoma pa u shpallur rezultatet zyrtare, liderët e partive politike dolën me vlerësimet e tyre për procesin zgjedhor. LSDM-ja e cila u befasua nga rezultati vlerësoi se akoma është në garë për të fituar shumicën e komunave. Zoran Zaev tha se ky është mesazh i qytetarëve, por që partia e tij me kokën lartë shkon në raundin e dytë për të fituar shumicën e komunave.

“Kokën lartë. Ne e morëm mesazhin e qytetarëve. Ata presin edhe më shumë punë. LSDM-ja hyn në rrethin e dytë në 36 komuna, përfshirë qytetin e Shkupit, ku kandidati ynë aktualisht kryeson me rreth 15 mijë vota. Kjo është arsyeja pse ne presim një rezultat solid më 31 tetor. Para rrethit të dytë, do të bashkohen të gjitha forcat progresive nga koalicioni me të cilin jemi në pushtet për ta mundur të keqen e këtij vendi”- deklaroi Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së

Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski deklaroi se me fitoren e VMRO-DPMNE-së në Shkup dhe 18 komuna tjera, legjitimiteti i takon opozitës. Mickoski pret që në raundin e dytë të sigurojë edhe më shumë komuna.

“Kjo është një fitore e madhe e popullit të Maqedonisë, është një fitore e të rinjve, e të moshuarve, burrave e grave të këtij vendi, e të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësinë e tyre etnike, fetare apo profesionale. Pavarësisht të gjitha parregullsive, presioneve e veprimeve të shumta kriminale, ka fituar populli. Sonte ka lindur një shpresë e re, populli mori fatin në duart e tij. E ardhmja e re ka ngadhënjyer mbi të kaluarën, ka fituar mbi ndarjet”- pohoi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se në raundin e dytë partia e tije do  t’i fitojë shumicën e komunave shqiptare, duke shtuar se janë subjekti i vetëm shqiptar që ka rritur numrin e votueseve.

“Të dielën u demonstrua një kulturë demokratike, sepse zgjedhjet janë pasqyra e një shteti me çka ky proces ka kaluar siç është më së miri. BDI-ja zgjedhjet në rrethin e parë i ka fituar në komunat e Sarajit, Likovës dhe Pllasnicës, ndërsa në rrethin e dytë udhëheq në komunat e Tetovës, Çairit, Kërçovës, Strugës, Zhelinës, Tearcës, Bogovinës, Haraçinës e Dollnetit”- tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Kreu i opozitës shqiptare, Ziadin Sela deklaroi se BDI ka humbur në bastionet e saja, ndërsa pas Gostivarit, në raundin e dytë fitore të thellë pret edhe në Strugë.

“Ne, si koalicion, shpallin fitoren në rrethin e parë në komunat e Gostivarit dhe Dibrës, ndërsa në pesë komuna tjera shkojmë në rreth të dytë ku do të ketë balotazh. Kuptohet që jemi të fokusuar dhe besoj se do t’ia dalim, që numri i komunave që do të udhëheqë opozita shqiptare të jetë edhe më i madh”- pohoi Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.

Liderët vlerësuan se është herët të flitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe se fokusi i partive politike është tek raundi i dytë zgjedhor.

Adrian Kerimi