Me rritjen enorme të temperaturave të cilat tash po mbizotrojnë në vendin tonë, në masë të madhe janë rritur edhe rreziqet potenciale për përhapjen e mundëshme të zjarreve edhe në rajonin e Pollogut. Kjo më së shumti për arsye se ky rajon posedon një vegjetacion të bujshëm, dhe për këtë arsye nevojitet zgjuarsi maksimale dhe sjellje e përgjegjshme të secilit individ, apelojnë nga policia e Tetovës.
“Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë apelon deri tek qytetarët që të jenë syçelë dhe maksimalisht të kujdesshëm nëse lëvizin dhe punojnë nëpër fushat e tyre apo nëpër pyje. Këshillohen qytetarët që të mos i djegin mbeturinat nëpër arat e tyre dhe të mos hedhin djegurin të pafikura mirë dhe cigare të ndezura. Krahas kësaj, ata të cilët gjatë fundjavës do të qëndrojnë në vende për piknik, paralajmërohen që të mos ndezin zjarre, të cilat në situata kur nuk shuhen mirë, shumë shpejtë mund të rindizen dhe përhapen përreth dhe me këtë të shkaktojnë pasoja të mëdha. Qytetarët këshillohen që në vende të hapura të mos lënë shishe prej qelqi apo lëndë tjera të cilat gjatë qëndrimit më të gjatë në diell mund të shkaktojnë zjarre”, apelojnë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.
Nga policia e Tetovës theksojnë se në të kundërtën nëse me, apo pa dashje, ose nga pakujdesia shkaktohet zjarr, qytetarët do të ballafaqohen me sanksione rigoroze ligjore, gjegjësisht parashtresa, të cilat në instanca përfundimtare parashihen edhe dënime me burg prej 6 muaj deri 8 vjet, varësisht nga lloji i zjarrit, pasojat dhe rrethanat tjera.
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë është duke ndërmarrë masa të ndryshme dhe të koordinuara preventive që në kohë të detektohen shkaktarët e mundshëm të zjarreve, kurse do të përforcohen aktivitetet e planifikuara kontrolluese në rajonin më të gjerë.
Comments are closed for this post.