Të gjitha dëmet materiale të shkaktuara nga zjarret në Koçan do të kompensohen. Në terren, komisioni komunal e vlerëson dëmin, ndërsa banorët pajisen me formulare, që ata të mund të raportojnë sa dëme materiale kanë. Kryetari i Koçanit Nikolço Iliev thotë se dy milionë denarë do të ishin të mjaftueshëm për të kompensuar banorët. Por, nëse ka nevojë për fonde shtesë, ata do të kërkojnë nga buxheti i shtetit.

“Mendoj se kjo shumë fillestare prej dy milionë denarësh, të cilën e kemi ndarë, është e mjaftueshme për të intervenuar, dhe sigurisht që do ta dimë pas përfundimit të vlerësimeve në vazhdim, dhe nga dje komisionet janë në terren dhe i vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga zjarri. Si një vetëqeverisje lokale, kemi krijuar formular që qytetarët të raportojnë dëmet në mënyrë më të thjeshtë”, tha Nikollço Iliev, kryetar i Komunës së Koçanit.

Për qytetarët që kanë dëme materiale në pronë, dhe që i kanë të siguruara, ata do ta presin kompensimin nga kompanitë e sigurimeve. Iliev siguron se edhe banorët që kanë rritur bagëtinë pa leje për përdorimin e tokës shtetërore do të kompensohen.

“Ka njerëz që kanë rritur bagëti në tokë pronë e Maqedonisë pa lejet e duhura, por për momentin ne nuk shikojmë kush ka pasur leje e kush jo, por ne po flasim për vlerësimin e dëmeve dhe natyrisht që do të bëjmë gjithçka që të gjithë të kompensohen brenda kornizave”, pohoi Nikollço Iliev, kryetar i Komunës së Koçanit.

Zjarri në Koçan është lokalizuar. Qindra hektarë sipërfaqe pyjore u dogjën. Zjarri përfshiu disa shtëpi, duke shkatërruar çatitë dhe fasadat, janë djegur edhe automjete, ferma dhe ndërtesa. Humbja më e madhe është në bagëti dhe shpendët të mbajtura nga banorët e Belsko Maalo, dhe te kafshët e egra.