Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti në emisionin “10 Minuta” në TV21, ka folur për situatën brenda BDI-së. Mexhiti tha se duhet të merren më shumë përgjegjësi për të pasur sukses.

Mes tjerash, ai theksoi se nëse në BDI nuk ndryshon diçka, do të kenë probleme në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti.

“Mund edhe të shkoj, por përgjegjësinë e kanë ato të cilët po i udhëheqin këto procese dhe jo ne që jemi jashtë këtyre proceseve ose përgjegjësia është më e vogël e jona se sa e atyre të cilët po e udhëheqin këtë proces, i cili proces duhet të jetë përfshirës dhe gjithpërfshirës nëse dëshirojmë të ketë sukses”, u shpreh Mexhiti.

Ndërsa në lidhje me kandidatin e tyre për Komunën e Çairit, Mexhiti tha se Visar Ganiu e meriton të kandidojë edhe për një mandat.

“Unë mendoj se z.Ganiu meriton të merr edhe një mandat për realizimin e objektivave dhe synimeve të tij. Ka dëshmuar që din të menaxhojë me Komunën, por mendoj se më e rëndësishme është hapja e debatit rreth këtyre që fola deri tash dhe në fund të debatit do të nxjerrën konkluzionet për më të mirën e BDI-së”, deklaroi Izet Mexhiti.