Një gjykatës porotë në procesin gjyqësor “Talir 2” për ndërtimin e paligjshëm të selisë partiake të VMRO-DPMNE-së, ka kërkuar përjashtim për shkaqe personale. Gjykimi në Penale vazhdoi nga fillimi, por vetëm formalisht. Prokurorja Lençe Ristoska prezantoi rreth 100 prova – dokumente për ndërtimin e godinës të lidhur me kompaninë Beton, dokumente për hapësira parkimi, si dhe një plan të detajuar urbanistik të Qendrës. Prokuroria ka edhe gjysmën e provave materiale për të paraqitur në gjykatë, dhe pastaj do të merren në pyetje dëshmitarët. Në këtë rast të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Kiril Bozhinovski. Ata sipas aktakuzës dyshohen se keqpërdorën me detyrën zyrtare duke lejuar firmën e ndërtimit Beton të ndërtonte “pallatin e bardhë” të VMRO-së, megjithëse në atë kohë 75% e të ardhurave të firmës kanë qenë nga kontrata të lidhura me agjencitë qeveritare dhe institucionet publike të drejtuara nga zyrtarë të kësaj partie. Sipas prokurorisë, Gruevski dhe Bozhinovski në emër të VMRO-së kanë përfituar leverdi pronësore prej tetë milion euro. Gjykimi do të vazhdojë më 12 mars. Ndërsa sot, pati një vonesë në gjykimin për rastin “Titanik” për parregullsitë zgjedhore, ku gjithashtu para trupit gjykues gjenden zyrtarë të VMRO-së. Arsyeja ishte mungesa e Kirill Bozhinovskit i cili ishte në gjykim për rastin e mëparshëm “Talir 2”. Gjykimi për rastin “Titanik” është shtyrë për më 5 mars, ndërsa së bashku me Gruevskin dhe Bozinovskin mes të akuzuarve janë edhe Gordana Jankulovska dhe Mile Janakieski.
Comments are closed for this post.