Të ardhurat buxhetore për shkak të gjendjes me virusin korona do të bien nga 20 deri në 40 për qind, gjë që do të shkaktojë një vrimë në buxhet mes 700 milion dhe 1.3 miliardë euro, tha ministrja e financave. Realizimi i të ardhurave këtë vit filloi mirë dhe ka qenë në përputhje me planin, thotë Angellovska. Sipas ministres, periudha më e vështirë për ekonominë do të jetë tremujori i dytë, respektivisht muajt që vijojnë prilli, maji dhe qershori, por nuk dihet as për dy tremujorët e tjerë pasi nuk dihet se kur do të fillojë rimëkëmbja.

“Skenari i parë ose skenari i volitshëm, parashikohet rënie prej 20% shuma totale e të ardhurave të buxhetit të konsoliduar sa i përket planit. Kjo do të thotë ulje të të ardhurave për rreth 700 milion euro, respektivisht për aq do të rritej deficiti dhe nevojat e financimit. Te skenari i dytë – i pavolitshëm, rënia e të ardhurave buxhetore do të ishte rreth 30%, duke rritur kështu nevojat për rreth një miliardë euro. Dhe te skenari i tretë më i pavolitshmi nëse të ardhurat bien 40 për qind, nevojat shtesë do të ishin rreth 1.3 miliardë euro”, tha Nina Angellovska, ministre e financave.