Një grua 44-vjeçare humbi jetën në një aksident trafiku që ndodhi mbrëmë rreth orës 22:00 në qendër të Ohrit, përcjell TV21. Sipas informatave nga MPB, gruaja është përplasur për vdekje ndërsa ndodhej në trotuar, respektivisht është goditur nga një veturë e tipit “Volkswagen Golf” me targa të Ohrit, që po drejtohej nga një 22-vjeçar, i cili tashmë është privuar nga liria.

Aksidenti ndodhi në rrethrrotullimin e bulevardit “Turisti” në Ohër, kur drejtuesi i veturës Golf kaloi mbi rrethrrotullim, theu rrethojën mbrojtëse, humbi kontrollin dhe përfundoi në zonën për këmbësorë, duke i goditur dy persona.

Si pasojë e goditjes, gruaja 44-vjeçare nga Ohëri pësoi lëndime të rënda trupore dhe më vonë ndërroi jetë. Bashkëshorti i saj pësoi lëndime.

“Më 19.06.2025, në ora 22:30, në SPB Ohër është raportuar se në rrethrrotullimin në kryqëzimin e bulevardit “Turistiçka” me rrugën “Jane Sandanski” në Ohër, një veturë e tipit “Volkswagen Golf” me targa të Ohrit, që drejtohej nga I.S. (22) nga fshati Pashino Ruvci i Prilepit, që po jetonte në Ohër, ka goditur një shtyllë metalike, e më pas edhe këmbësorët A.B. (44) nga Ohri dhe D.P. (52) nga Shkupi. Si pasojë e lëndimeve të marra, A.B. ka ndërruar jetë në Spitalin “Shën Erazmo”, ku mjeku ka konstatuar vdekjen. Lëndime të rënda trupore ka marrë D.P., ndërsa lëndime të lehta kanë pësuar drejtuesi I.S. dhe pasagjeri i tij K.M. (19), të cilat janë konstatuar në spitalin “Shën Erazmo” dhe në Spitalin e Përgjithshëm të Ohërit. Është kryer kontroll nga ekipi hetimor i SPB Ohër, ndërsa me urdhër të Prokurorit Publik, I.S. është privuar nga liria për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale sipas nenit 300 paragrafi 2 i Kodit Penal. Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit ende nuk janë zbardhur”, thonë nga MPB.