Po bëhen përgatitjet e fundit për nisjen e procesit të imunizimit në vend. Por, një protokoll jo i thjeshtë duhet të zbatohet me vaksinat e llojit Pfizer, deri në momentin e injektimit të dozave në trupin e njeriut. Në Agjencinë e Barnave, një ekip i specializuar po punon për të gjitha detajet teknike të një udhëzuesi për mjekët që japin vaksinat. Drejtori i këtij institucioni tha se duhet të kihet kujdes gjatë vaksinimit.
Ne punojmë në përfundimin e dokumentacioneve, në kontrollimin e certifikatave, në stikerët që do të ngjiten në vaksina si dhe udhëzuesin, siç është për çdo bar që vjen në vend, ashtu do të bëhet edhe për vaksinat. Për momentin kolegët po punojnë në përfundimin e këtyre procedurave do të kemi një udhëzues special për punonjësit shëndetësor sepse ata do të duhet të aplikojnë vaksinat te pacientët – deklaroi Lirim Shabani, Drejtor i Agjencisë së Barnave “MALMNED”.
Në Spitalin modular në Shkup të gatshme janë hapësirat ndarëse për personelin mjekësor, të cilët të mërkurën do të marrin vaksinat e para. Edhe pse dy muaj më vonë se shtetet tjera, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se vaksinat anti kovid të ardhura donacion nga Serbia nuk do të regjistrohen meqë janë marr me import emergjent. Ligji i ri i barnave është i pa nevojshëm në këtë rast, njëjtë sikurse edhe për 200 mijë vaksinat kineze që pritet të vijnë pas 18 shkurtit. Vaksina e parë do të jepet të mërkurë.
Vaksinimi do të zbatohet në pesë pozicione vaksinuese, ku në ekipet e imunizimit do të ketë infermiere dhe mjek. Spitali modular do të do të punoj në dy turne nga ora 8:00-20:00 – njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Përderisa 4,680 dozat për injektimin e parë arritën dje në vendin tonë, të njëjtat janë të rezervuara për personelin mjekësor, të cilëve brenda 21 ditësh do tu arrijnë edhe dozat e dyta Pfizer nga Serbia. Për kategoritë e rrezikuara mbi 70 vjeç dhe grup moshat tjera deri më tani vullnetarisht janë paraqitur mbi 46 mijë qytetarë në platformën on-line “Vakcinacija.mk”. Sipas planit nacional pason faza e përcaktimit të terminit për vaksinim përmes ueb faqes tjetër “Termini im” ku hynë në shërbim edhe mjekët amë.
Comments are closed for this post.