Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, informoi se të gjithë pacientët e lënduar nga zjarri në Koçan, të cilët po trajtohen në klinikat brenda vendit, janë në gjendje stabile. Ndërkohë, nga 115 pacientët që po marrin trajtim jashtë vendit, 6 prej tyre mbeten në gjendje kritike.

Sipas ministrit, aktualisht në Shkup po trajtohen 54 pacientë, prej të cilëve 27 në Qendrën Klinike, 11 në spitalin “8 Shtatori”, 10 në Spitalin e Qytetit dhe 6 në klinika private. Taravari theksoi se situata po përmirësohet, duke kujtuar se një javë më parë 20 pacientë ishin në gjendje kritike, ndërsa tani ky numër ka rënë në 6.

“Javën e ardhshme planifikojmë që ndonjë pacientë ta kthejmë në vend, të paktën deri sot çka i kam informacionet, nga gjithsej 115 pacientë, 5 prej tyre javën e ardhshme do të kthehen dhe do të pranohen në 3 spitalet në Shkup, që do të kontrollohen dhe do të vendoset a do të qëndrojnë në Spital apo do të lëshohen në mjekim shtëpiak”, tha ministri i Shëndetësisë Arben Taravari.