Reforma tatimore fillon këtë vit, përmes realizimit të 13 objektivave dhe 40 aktiviteteve si dhe një sërë nën-aktiviteteve nga Plani i veprimit për vitin 2021 për zbatimin e Strategjisë për reformën e sistemit tatimor 2021-2025. Masat parashikojnë analiza, zbatim të modeleve dhe përvojave, ndërsa do të shoqërohen me diskutime dhe konsultime publike. Vendimet që do të merren do jenë rezultat i këtij procesi.

Në kuadër të këtij procesi është edhe diskutimi për reformën tatimore i ministrit të Financave Fatmir Besimi dhe përfaqësuesve të komunitetit akademik dhe ekspert – akademikë nga Akademia e shkencave dhe arteve të Maqedonisë, Taki Fiti dhe Abdylmenaf Bexheti profesorë universitarë dhe ekspertë nga sfera e rregullativës tatimore, si dhe Trajko Sllaveski, Vlladimir Filipovski, Nikolla Popovski, Aleksandar Stojkov, Bllagica Petreski, Marjan Petreski, Aleksandra Naqeva – Ruzhin, Gligor Bishev, Nikica Mojsovski dhe Goran Rafajllovski.

Përmirësimi i politikës ekzistuese tatimore dhe harmonizimi i saj me BE-në, sigurimi i konkurrencës së drejtë, analiza e bazës tatimore, zvogëlimi i evazionit tatimor, zvogëlimi i borxheve tatimore, përmirësimi i kapaciteteve të institucioneve në sistemin tatimor, rritja e transparencës, përmirësimi i mekanizmave kontrollues, përmirësimi i shërbimeve dhe vendosja e stimujve për përgjegjësi ekologjike dhe tatimim “të gjelbër” – këto janë objektivat konkrete të përfshira në Planin e veprimit për këtë vit.

Aktivitetet që do të zbatohen në kuadër të këtyre objektivave janë analiza e bazës tatimore dhe ndryshimet e mundshme të tatimit mbi të ardhurat personale, tatimit mbi fitimin dhe pronën, si dhe analiza lidhur me lirimin tatimor. Në vijim, parashihen aktivitete për parandalimin e evazionit tatimor, përmirësimin e fiskalizimit, mjedisin keshles (pa para të gatshme), modernizimin e shërbimeve, zhvillimin e resurseve njerëzore dhe përgatitjen e propozimeve për vendosje të stimujve për përgjegjësi ekologjike, si dhe aktivitete të tjera në kuadër të këtyre objektivave.

Pesë prioritetet që do të arrihen me zbatimin e objektivave dhe aktiviteteve janë: 1) drejtësi më e madhe në tatimim, 2) efikasitet dhe efektivitet më i mirë i të ardhurave tatimore në drejtim të arkëtimit të të ardhurave, 3) transparencë më e madhe tatimore, 4) cilësi më e madhe e shërbimeve dhe 5 ) vendosje e tatimimit ekologjik të gjelbër.

Ministria e Financave dhe Qeveria angazhohen për ndërtimin e sistemit më të mirë tatimor që do të jetë efikas, transparent, bashkëkohor, i thjeshtë dhe i drejtë dhe si i tillë do të jetë bazë për rritje të përshpejtuar dhe zhvillim ekonomik. Kjo do të zbatohet përmes procesit transparent dhe gjithëpërfshirës të konsultimeve dhe diskutimeve publike me palët e interesuara që filloi javën e kaluar në takimin e ministrit të Financave me përfaqësuesit e odave ekonomike dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.