Sipas gojëdhënave kabunia konsiderohej si ëmbëlsira e preferuar e sulltanëve, jo vetëm për shijen e mrekullueshme, por edhe për të fituar energji dhe forcë. Një recetë që i ka rezistuar kohës dhe shijon në çdo moment.

PËRBËRËSIT: 150-200 g rrush të thatë, 1 filxhan kafeje oriz, 2 filxhanë kafeje lëng mishi, 1 filxhan kafeje sheqer, 1 lugë çaji kanellë, gjysmë lugë çaji karafil dhe 3-4 lugë gjelle gjalpë të freskët.

PËRGATITJA: Fillimisht vendosim rrushin e thatë në ujë të ngrohtë që të zbutet. Kaurdisim orizin me gjalpë dhe më pas shtojmë lëngun e mishit të vluar, rrushin e thatë dhe një majë luge kripë. E mbulojmë me kapak dhe e lemë orizin të ziejë sa të krijojë bulëza. E largojmë më pas nga zjarri dhe e përziejmë me sheqerin, kanellën dhe karafilat. E mbulojmë përsëri me kapak dhe e lemë 10-15 minuta të pushojë në ngrohtësi në vatrën e sobës së fikur. Më pas e servirim në tasa duke e spërkatur me kanellë dhe me pak sheqer të djegur për dekor dhe shije. JU BËFTË MIRË!