Shqipëria i riktheu sot Maqedonisë 20 ikona, që rezultonin të humbura. Ceremonia u zhvillua në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, si një akt simbolik dorëzimi mes Ministres së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti dhe Ministres së Kulturës së Republikës së Maqedonisë, Bisera Kostadinovska Stojchevska.

Duke shprehur falenderimet për bashkëpunimin e ngushtë me palën maqedonase për identifikimin dhe kthimin e këtyre ikonave, që datonin mes shek. XVII-XIX, ministrja Margariti theksoi se “Për të ardhur në momentin e sotëm është dashur një rrugëtim i gjatë, prej gati një dekade si dhe shumë bashkëpunim ndërinstitucional dhe ndërkombëtar”.

Nga ana e saj ministrja e Kulturës së Maqedonisë,  Bisera Kostadinovska Stojchevska vlerësoi aktin e dorëzimit të këtyre ikonave nga ana e Shqipërisë.

Fillesa e kësaj dite është aksioni i vitit 2013, kur Policia e Shtetit sekuestroi 476 vepra të dyshuara si trashëgimi kulturore dhe hapi procedimin penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në vitin 2018 Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë ngriti pretendimin për pronësinë e disa prej objekteve të sekuestruara.

Raporti përfundimtar i grupit të punës konkludoi se ikonat e pretenduara nga Republika e Maqedonisë përputhen me ikonat e sekuestruara gjatë aksionit të vitit 2013, subjekte të zbatimit të dispozitave të Konventës së UNESCO-s, 1970. Bëhej fjalë për 20 të tilla. Marrëveshja për kthimin e 20 ikonave në vendin e origjinës u nënshkrua gjatë mbledhjes së dy qeverive në 14 nëntor 2022 në Shkup, ku u ekspozua në mënyrë simbolike ikona e “Shën Ilisë”.

“Kjo marrëveshje ishte e para e këtij lloji, jo vetëm në Shqipëri dhe në Maqedoni, por edhe në rajonin ballkanik, çka na vinte përballë një përgjegjësie të shtuar. Ndaj edhe konsultimet kanë qenë të një rrezeje edhe më të gjerë, duke ndjekur eksperienca të ngjashme nga vende që gëzojnë një status ekselence në fushën e trashëgimisë kulturore, si Italia”, u shpreh ministrja Margariti.