Debati për shembjen e Teatrit Kombëtar nuk ndalet. Nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri shqiptar, Edi Rama akuzoi protestuesit se nuk kanë ndjekur shfaqjet në teatrin e vjetër dhe u shpreh se teatri i ri, i denjë do të ndërtohet për fëmijët e jo për siç i quajti “Artistët politikanë e Politikanët artistë”.

Aty e kishin teatrin. Pse nuk e mbushnin?! Pse nuk ra ky teatër nga dalldia e këtyre protestuesve që të hynin dhe të shikonin Desdemonën, të paktën Desdemonën?!”-pohoi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit protestoi sot para prokurorisë speciale SPAK, duke i kërkuar hetim të shpejtë për zbardhjen e rastit të Teatrit.

I kërkojmë prokurorisë së posaçme marrjen e masës së arrestit me burg ndaj shtetasit, Erion Veliaj me funksion “Kryetar i Bashkisë së Tiranës”, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv i personave që kryejnë funksione publike”-tha Ardiana Kala, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha shpërndau fotografi me protestues në rrjetet sociale ku shkroi: “Opozita ka një qëllim, t’u japë fund sa më parë kushteve në të cilat padrejtësia shtyp qytetarët, shkatërron pronën e tyre, i varfëron dhe kjo padrejtësi e ka një emër: ky është Edi Rama”

Basha takoi Presidentin, Ilir Meta i cili i kërkoi të kontribuojë në Këshillin Politik për rikthimin e legjitimitetit të institucioneve përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.