Shoqata maqedonase “Ilinden”-Tiranë kërkon nga Bashkia Dibër dhe nga Këshilli Bashkiak Dibër që në fshatin Herbel, Njësia Administrative Maqellarë, Bashkia Dibër të vendoset pllakë përkujtimore për dramaturgun e shquar dhe akademikun Goran Stefanovski me origjine nga fshati Herbel, në nder të Pakicës Kombëtare Maqedonase qe banon në harmoni në fshatin Herbel, Njësia Administrative Maqellarë.

Goran Stefanovski (1952-2018) është dramaturgu më i shquar dhe akademik maqedonas i gjysmës së dytë të shekullit të 20-të dhe një nga dramaturgët më të interpretuar në skenat teatrore anembanë Europës. Ai kaloi një pjesë të jetës së tij në Britaninë e Madhe, duke përfshirë edhe në Universitetin e Canterbury-t ku ishte një profesor i respektuar.

Prejardhja e Stefanovskit është nga fshati Herbel, gjyshi i tij Strezo dhe gjyshja Altana kanë jetuar në fshatin Herbel dhe janë shpërngulur në Shkup. Origjina nga kjo zonë dhe historia familjare ka pasur ndikim të madh në veprën e Stefanovskit dhe ai vazhdimisht interesohej dhe kërkonte për historinë e rrënjëve të familjes së tij dhe me familjen e tij kishte vizituar disa herë fshatin Erbele.

Tashmë ka pllakë përkujtimore për Stefanovskin në Shkup dhe Canterbury. Pllaka përkujtimore në tre gjuhë, në fshatin Herbel aty ku janë rrënjët e tij, do të jetë një pikë kontakti për lidhjet multikulturore midis Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe inkurajimin e projekteve të mëtejshme të bashkëpunimit në sferën kulturore dhe do të ndimojë në afirmimin e fshatit Herbel si shembull i bashkëjetesës.

Përmbajtja e pllakës përkujtimore do jetë në tre gjuhë shqip, maqedonisht, dhe anglisht do të jetë si më poshtë:

“Të gjitha krijesat e gjalla lindin me instinkt mbijetese. Për të mbijetuar, merimangat thurrin rrjetë. Për të mbijetuar, ne thurrim histori. Për ne nuk ka asgjë më të rëndësishme se këto histori. Ato janë thelbi i jetës sonë, shtylla e identitetit tonë.”

Goran Stefanovski

Nga fshati Herbel janë rrënjët familjare të dramaturgut dhe akademikut të shquar maqedonas  Goran Stefanovski (1952-2018).