Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërhiqen zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) më 6 korrik 2021, njoftoi përfaqësuesi i vendit në OKB.
Në një deklaratë me shkrim, Përfaqësia e Përhershme e SHBA-së në Zyrën e Gjenevës të OKB-së tha se krahas pandemisë së koronavirusit (COVID-19), OBSH-ja ka dështuar të marrë masa edhe kundër krizave të tjera globale shëndetësore viteve të fundit.
“Për më tepër, OBSH-ja ka refuzuar të zbatojë reformat e nevojshme urgjente, duke filluar me demonistrimin e pavarësisë së saj nga Partia Komuniste Kineze”, theksohet më tej.
Në deklaratë thuhet se SHBA-ja do të tërhiqet nga OBSH-ja më 6 korrik 2021 dhe se do të kërkohen partnerë “më të besueshëm” dhe “transparentë” në vend të OBSH-së, siç ka deklaruar presidenti amerikan Donald Trump.
Po ashtu, njoftohet se SHBA-ja do të shpalosë sot se në cilin institucion apo organizatë do të transferohen burimet e SHBA-së. Përfaqësia amerikane tha gjithashtu se vendi nuk do të paguajë shumën e paraparë për këtë vit për OBSH-në.
SHBA ka një borxh prej 18 milionë dollarësh nga viti 2019 dhe 62 milionë dollarësh nga viti 2020.
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, më 8 korrik tha se SHBA-ja si anëtare e SHBA-së është dashur të jepte njoftim paraprak njëvjeçar për t’u larguar nga organizata.
Dujarric ka thënë se SHBA-ja duhet gjithashtu të paguajë borxhet ndaj OBSH-së para se të largohet dhe të përmbushë detyrimet financiare.
Më 14 prill, presidenti amerikan Trump akuzoi OBSH-në për dështim në luftimin e pandemisë COVID-19 dhe për favorizim të Kinës, duke njoftuar pezullimin e mbështetjes financiare për organizatën.
Duke i dërguar letër Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, më 18 maj, Trump deklaroi se nëse OBSH-ja nuk realizon reforma thelbësore, SHBA-ja do të “ngrijë përgjithmonë” fondet e dhëna kësaj organizate pas 30 ditësh.
Megjithatë, para këtij afati, më 29 maj, Trump njoftoi përfundimin e “marrëdhënieve me OBSH-në”.
Comments are closed for this post.