Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Kosova e kanë nënshkruar të enjten një marrëveshje për shkëmbimin dhe ruajtjen e informacioneve të klasifikuara, e cila u vlerësua si arritje historike nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, njofton Radio Evropa e Lirë.

Marrëveshja SHBA – Kosovë për masat e sigurisë për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara, u nënshkrua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadori Hovenier, pas një pune dyvjeçare rreth saj, njoftoi Ambasada amerikane në Prishtinë.

“Kjo marrëveshje vë themelin për shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara. Ajo përfaqëson përkushtimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara për bashkëpunimin e vazhdueshëm të sigurisë me Kosovën”, tha Hovenier.

Përmes kësaj marrëveshjeje, sipas Ambasadës amerikane, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë ndërmarrë obligime për t’i mbrojtur informacionet e klasifikuara të njëra-tjetrës, duke e hapur rrugën për shkëmbimin e tyre.

Nga kjo marrëveshje, Kosova do të përfitojë në disa fusha, përfshirë në rritjen e aftësive për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial përmes shkëmbimit të informacioneve me SHBA-në, integrimin e plotë në strukturat e sigurisë Euro-Atlantike, si dhe zhvillimin e suksesshëm të Forcë së Sigurisë së Kosovës në një forcë mbrojtëse territoriale të suksesshme, shumetnike dhe që operon sikur NATO-ja, sipas Ambasadës amerikane.