Instituti për Shëndet Publik e ka publikuar raportin javor për gjendjen me coronavirusin, për periudhën prej 1 deri 7 mars 2021.

Në këtë periudhë janë bërë gjithsej 21.090 testime për SARS-CoV-2, që është për 4.6% më shumë në krahasim me javën e kaluar, ndërsa pozitiv kanë rezultuar 4.463, në 35 qytete. Ky numër është për 23.0% më shumë se java e kaluar.

“Pjesa më e madhe rasteve të reja janë nga Shkupi (2.160), ndërsa incidenca më e madhe është në Negotinë. Përqindja e rasteve pozitive në periudhën e theksuar lëvizë prej 13.2 deri 26.7%, ose mesatarisht 20.9%”.

“Rastet e reja janë nga të gjitha grupmoshat, kurse numri më i vogël është tek fëmijët prej moshës 0 deri 9 vjeç”, thuhet në raport.

Ndërsa sa i përket personave të shëruar, pas dy testeve negative, janë regjistruar gjithsej 3.895 pacientë të shëruar, të cilët kanë qenë të hospitalizuar ose në kurim shtëpiak.

Raportin javor të ISHP-së mund ta gjeni edhe në web-faqen e tyre.