Prokuroria Publike Penale e Shkupit ka kërkuar dënimin maksimal prej 10 vjet burgim për aktorët kryesor të aferës së përgjimeve që ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut nga viti 2008 deri në vitin 2015.

Në fjalën përfundimtare, prokurorja e lëndës, Lençe Ristevska, që ka zgjatur mbi shtatë orë e gjysmë, kërkoi dënimin prej 5 vjet burg për ish-shefin e policisë sekrete, Sasho Mijallkov, të ish-ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska si dhe dhjetë zyrtarëve tjerë të policisë, si Toni Jakimovski, Nadica Nikoliq, Goran Grujevski, që të gjithë drejtues në sektorët e lartë të policisë sekrete. Ata akuzohen për përgjim masiv të paligjshëm të personaliteteve të ndryshme shtetërore e politike.

Për të njëjtit ajo kërkoi dënim edhe me nga 5 vjet tjera për veprën penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare”.

Mijallkov, Grujevski që ndodhet në arrati dhe Nikoliq, sipas aktakuzës, janë drejtuesit e grupit kriminal të cilët në mënyrë të paligjshme, pa urdhër gjyqësor, kanë përgjuar 5 mijë qytetarë, të cilët kanë biseduar me rreth 20 mijë të tjerë që po ashtu llogariten si të përgjuar.

Në mesin e të përgjuarve kishte politikanë, ish zyrtarë të lartë, personalitete publike, por edhe gazetarë të shumtë.

Afera e përgjimeve ishte zbuluar nga ish-lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, tani kryeministër, në vitin 2015. Ai ka publikuar përmbajtjen e dhjetëra bisedave të përgjuara, që sipas tij “dëshmonin veprimet kriminale” të qeverisë që atë kohë drejtohej nga Nikolla Gruevski, i arratisur në Hungari pas dënimit prej 2.5 vjet burg për shpërdorim të detyrës.

Publikimi i aferës së përgjimeve kishte çuar në rrëzimin e qeverisë së Gruevskit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vitin 2016.