Seancë e re për lëndën “Titanik” është paraparë sot të mbahet në Gjykatën penale Shkup.

Debatet kryesore periudhën e fundit kryesisht janë mbajtur me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria. Numri më i madh i dëshmitarëve gjatë deklaratave të tyre para gjykatës theksuan se asnjëherë nuk kanë dhuruar mjete për partinë politike VMRO-DPMNE. Për informacionet se ata kanë plotësuar fletëpagesa në emër të partisë, dëshmitarët theksuan se ata ishin të njoftuar kur janë thirr nga PSP-ja.

Gjykimin për këtë lëndë e zhvillon gjykatësi Osman Shabani, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurorja Lile Stefanova.

Mes të akuzuarve kryesorë për këtë rast janë ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski, ish-deputeti Ilija Dimovski dhe ish-funksionarë të tjerë të VMRO-DPMNE-së.

Sipas aktakuzës të parashtruar nga ish-PSP-ja, të akuzuarit dyshohen për vepra penale: shkelje të të drejtës zgjedhore, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore.