Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar Kosovën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që shpallën fitues Albin Kurtin dhe Partinë Vetëvendosja. Kreu i qeverisë shqiptare i cilëson zgjedhjet në Kosovë të suksesshme, ndërsa uron Kurtin, Vjosa Osmanin, që doli e dyta për nga numri i votave, si dhe Kadri Veselin, që pranoi rezultatin.

“Urime Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare Urime Vetëvendosjes e Albin Kurtit për rezultatin më të mirë. Urime LDK e Vjosa Osmanit për rezultatin e dytë më të mirë. Urime PDK e Kadri Veselit për pranimin shembullor të rezultatit. Sa më e mbarë dita e re për Kosovën”, shkruan Rama.