Produkteve ushqimore si: vaji i gatimit, kosi, qumështi dhe lëngjeve të ndryshme, po u shtohet një sasi më e madhe uji, ndërsa sasia e dikurshme prej një kilogrami në shumë produkte të paketuara, tashmë shënon 900 gram.

Në luftën kundër inflacionit, për të përfituar, prodhuesit ulin peshën e produkteve ose ulin cilësinë.

Zvogëlimi nuk është asgjë e re, por është më e theksuar në kohë inflacioni të lartë, ndërsa kompanitë luftojnë me kostot në rritje për përbërësit, paketimin, punën dhe transportin.

Kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë, Marijana Lonçar-Velkova, thotë se rënia e sasisë është tërheqëse për prodhuesit, sepse konsumatorët nuk e vërejnë atë, për dallim nga rritja e çmimit, të cilën e vërejnë menjëherë.

“Ulja e peshës së produkteve nuk është asgjë e re. Në vendin tonë, kjo praktikë mes prodhuesve ka nisur që në vitin 2008, kur ishte pothuajse e njejta gjendje në treg. Përveç bukës, sheqerit, vajit, rënie në peshë është vënë re edhe tek çokollatat, kafet apo produktet e tjera të paketuara. Kur ka rritje çmimesh, prodhuesit përdorin metodën e uljes së peshës për të përfituar. Blerësit kanë iluzionin se po blejnë më lirë dhe nuk e vërejnë menjëherë se pesha është ulur”, tha Lonçar-Velkova për Veçer.

Ajo thotë se edhe një çerek byreku nuk është më një çerek, sepse petët i bëjnë më të holla dhe askush nuk e peshon sasinë e vërtetë të një byreku.

“Në Bosnje, për shembull, byrekun e masin me gram, duhet të fillojnë ta praktikojnë këtë metodë edhe këtu, sepse të gjithë byrekët janë të ndryshëm dhe nuk e dini sa gram janë në një çerek. Të ketë kontroll të tregut nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe të kontrollojnë nëse ndonjë nga produktet si vaj ulliri, lëngje, kosi etj, furnizohet me ujë. Duhet të kontrollohet edhe cilësia e vajit, sepse qytetarët vërejnë se spërkat kur nxehet. Në anën tjetër, bëhet fjalë edhe për cilësinë dhe kur t’i vërejnë këto gjëra, qytetarët nuk do ta blejnë më atë produkt, dhe prodhuesit do të humbasin konsumatorët”, sqaron Kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë, Marijana Lonçar-Velkova.

Siç thotë ajo, blerësit mbase tani blejnë, por kur do të ngopen nga manipulimet tregtare, do të fillojnë të gatuajnë vetë bukën e tyre, të bëjnë kos apo të blejnë qumësht nga shitësit shtëpiak.