Ka nisur në Prishtinë edicioni i tetë i festivalit ndërkombëtar të teatrit “Prishtina International Theatre Festival”.

Në ceremoninë e hapjes së këtij edicioni e cila u bë në teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, morën pjesë kryeministri Albin Kurti, krerë të institucioneve të kulturës, artistë dhe të ftuar të tjerë.

Doruntina Alshiqi, drejtoreshë artistike e festivalit, tha për Anadolu se ka një llojllojshmëri të programit me shumë shfaqje teatrale që kanë aplikuar për këtë festival.

“Sot do të kemi shfaqje nga teatri i Sarajevës, Bosnjë e Hercegovinës, do të kemi shfaqje nga organizata joqeveritare Integra, kemi po ashtu shfaqje nga vetë shtëpia e AAB-së ‘Mysafire Bretkosa’ nën regjinë e të ndjerës, drejtoreshës artistike të festivalit Burbuqe Berisha, ndërkohë kemi shfaqje edhe nga Gjermania nga teatri në Koln, kemi shfaqje nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kroacia”, theksoi Alshiqi.

Ajo tha se në fund të festivalit tri juritë, juria kryesore, juria e medias dhe juria e studentëve, do të ndajnë katër çmime: Shfaqja më e mirë, Aktori më i mirë, Regjisori më i mirë dhe Aktori/ja më e mirë në rolin dytësor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se prania e larmishme në këtë festival tregon që Kosova është mikpritëse për punët e mira.

Kurti tha se politika dhe arti janë dy gjëra të ndryshme, duhet të jenë të pavarura, por nuk mund të jenë të ndara.

“Këtë na e mëson qysh periudha e antikitetit kur arti dhe politika, e posaçërisht teatri dhe qeverisja e kanë moshën e njëjtë, në antikitet”, theksoi Kurti.

Drejtor i edicionit të sivjetshëm të festivalit është profesori boshnjak Zijad Mehiq.

Mehiq në një deklaratë për Anadolu tha se është e nevojshme që Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina të vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe të hapen me njëra-tjetrën, të paktën në kuptimin kulturor dhe artistik.

“Ne duhet të përpiqemi, edhe pse politika nuk e lejon, të kemi lëvizje të lirë, ka më shumë politikë në Bosnjë e Hercegovinë sesa këtu, duhet të bëjmë më shumë bashkëpunim dhe arti nuk njeh kufij”, tha Mehiq.

“Prishtina International Theatre Festival” do të mbyllet më 26 maj.