Nuk ka ende asnjë gjurmë nga 14 vjeçarja e cila u zhduk mëngjesin e së hënës. Familjarët thonë se nuk kanë asnjë informatë për vendndodhjen e Vanja Gjorçevskës nga Shkupi.

Vanja Gjorçevska është 14 vjeçare, e gjatë 1 e 75, 58 kilogram, flokë ngjyrë kafe të errët, sy ngjyrë kafe, mban proteza në dhëmbët e sipërm dhe të poshtëm, ka një nishan në anën e djathtë të fytyrës. Ajo ka qenë e veshur me bluzë të kaltër, xhaketë të zezë, pantallona të zeza me xhepa anash, atlete të bardha me vija kafe, mbante çantë shkolle në shpinë dhe një celular.

Ky është përshkrimi për 14 vjeçaren, Vanja Gjorçevska e cila u vendos në listën e të humburve nga ana e MPB-së, pasi mëngjesin e së hënës familja e saj njoftoi se ka humbur kontaktin me të pasi kishte dalë nga shtëpia për në shkollë.

“Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin se po ndërmerren masa dhe aktivitete intensive për gjetjen e V.Gj. (14) pasi me 27.11.2023 në ora 08:35 Z.G. nga Shkupi ka raportuar se dyshon se vajza e saj V.GJ. (14) është zhdukur. Për zbardhjen e rastit dhe gjetjen e personit menjëherë pas marrjes së denoncimit, SPB-ja është përfshirë me kapacitetet të plotë, janë zhvilluar një sërë bisedash me persona të afërt me të miturën, janë kontrolluar kamerat etj”, thonë nga MPB.

Ministria e Punëve të Brendshme u bëri thirrje qytetarëve që të mos përhapen dezinformata lidhur me zhdukjen e 14 vjeçares. Autoritetet apelojnë që për çdo informatë lidhur me vajzën e zhdukur të drejtohen tek numri 192 apo tek stacioni më i afërt policor.