Alarmi u erdhi nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, e policia e veriut menjëherë u vu në lëvizje. Nga rruga që bënë deri në një shtëpi në lagjen Korillë të Poshtme në Zveçan, u kthyen në stacion me plot armë e mjete të tjera ushtarake.

Katër armë AK 47, 34 karikatorë, 1,546 fishekë të kalibrave të ndryshëm, tetë granata dore, një minë anti-këmbësorie, gazmaska, çanta ushtarake, shok-bomba, thika e krejt mjetet tjera të konfiskuara u ekspozuan nga policorët, pasditen e së martës, raporton Klan Kosova.

Nuk dihet nga erdhi, por një pjesë e këtij armatimi është e kategorisë më të rëndë.

Sipas ministrit për Punë të Brendshme, Xhelal Sveçla, me aksionin e së martës veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit.

Por, një koment hiç të zakonshëm mori ministri bash në postimin që e bëri për armatimin që u gjet në Zveçan.

Një profil Facebooku, me emrin “Severna Brigada”, i tha Sveçlës se do ta likuidojë, veç po e presin momentin.

Kërcënimet mbase u ashpërsuan pasi kjo nuk qe hera e parë që policia konfiskoi armatim në këtë komunë veriore. Njëjtë, bile në sasi edhe më të madhe, pati gjetur më 23 qershor afër objektit komunal.