Me shfaqjen “BallKanibalizëm”nga Produksioni Oda-Tetovë, u përmbyll edicioni i dytë i festivalit AKTFEST 2020 i cili nisi nga data 25 e deri më 29 shtator, ku gjatë pesë netëve u luajtën 5 shfaqje nga trojet shqiptare.
Festivali AKTFEST është i vetmi i llojit të tillë, është festival në të cilin vlerësohet puna e aktorit në një shfaqje. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia me virusin Kovid 19, organizatorët e festivalit ishin më të kufizuar sa i përket përzgjedhjes së shfaqjeve si dhe për shkak të mbylljes së kufijve këtë vit nuk kishte shfaqje pjesëmarrëse nga Kosova.
Edhe përkundër gjendjes jo të zakonshme për një manifestim të tillë, gjatë 5 netëve të festivalit u respektuan të gjitha protokollet e parapara për organizimin e ngjarjeve në kohë pandemie.
“Koronavirusi ishte sfide e madhe për organizimin e festivalit por jo e patejkalueshme. Aktfesti i dha publikut pesë mbrëmje rresht shfaqje të mira kurse publiku na shpërbleu me pjesëmarrjen e vazhdueshme gjatë gjithë festivalit. Njerëzit e duan teatrin edhe në kohë pandemie!”- tha drejtori Romir Jakupi.
Në natën e fundit të festivalit juria profesioniste e përbërë nga aktorët e njohur të vendit Elhame Bilalli, Flora Kadriu dhe Muzafer Etemi ndau edhe pesë çmimet kryesore të festivalit dhe një çmim special:
1. Aktori më i mirë në rol kryesor- Romir Zalla
2. Aktorja më e mirë në rol kryesor- Vjollca Bekteshi Hamidi
3. Aktori më i mirë në rol jo protagonist- Ervin Bejleri
4. Aktorja më e mirë në rol jo protagonist-Jorida Meta
5. Aktori i ri më i mirë/Aktorja e re më e mirë-Berat Mahmuti
– Çmimi special i takoi aktores – Ajshe Useini
Situata e re e krijuar nga virusi Kovid 19, pamundësoi realizimin e ceremonisë së pranimit të çmimeve, por të njëjtat do tu dërgohen të gjithë aktorëve fitues, thonë organizatorët.
Gjatë 5 netëve të festivalit para publikut në Shkup u prezantuan shfaqjet “Rrëfime”, “Duet për një”, ” Tregimi Zoologjik “, “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” dhe “BallKanikalizëm”.