Nga Lisiçe e Re deri në Gjorçe Petrov do të mbërrini për 30 minuta përmes 23 ndalesave të vendosura në çdo 500 metra, edhe atë me transportin e ri publik që e prezantoi kryetari Petre Shilegov. Sipas vlerësimeve, analizave dhe nevojave, me këtë model të ri do të transportohen 3.600 udhëtarë për një orë, kurse do të trajnohet edhe stafi që do t’i drejtojë automjetet.

“Pse e zgjodhëm pikërisht këtë model të transportit publik? Sepse është një nga zgjidhjet më të mira, më të shpejta, më të sigurta dhe më ekonomike për Shkupin, si kryeqytet dhe si qytet më i madh në vendin tonë”, tha Shilegov.

Do të ndërtohet një trase e veçantë rreth së cilës do të ketë hapësira të gjelbra. Pastaj, pagimi do të bëhet në ndalesat të cilat do të jenë të mbyllura, me qëllim që të shmanget qëndrimi më i gjatë i automjeteve. Sistemi do të jetë i automatizuar deri në atë masë saqë kur do të mbërrijë automjeti, do të hapen dyert edhe të automjetit edhe të ndalesës me qëllim që të ketë transfer të pasagjerëve. Do të vendoset sistem për pagesë me smart-kartela dhe sistem për informacione për pasagjerët në kohë reale. Me të gjitha këto elemente, siç pohojnë autoritetet, do të sigurohet transport më efikas publik.

“Shkupi po vonon 40 vjet për të bërë një hap përpara drejt avancimit të transportit publik. Në vitin 1980 kishte nismë për futje të sistemit të tramvajit në qytetin e Shkupit, bile kishte edhe referendum, i cili dështoi vetëm për pak përqindje. Megjithatë, ajo që sot ndodh në Shkup, qytet me mbi 600.000 banorë, me mbi 170.000 makina të regjistruara, flet se Shkupi ka problem serioz me sistemin e komunikacionit”, tha Nikolla Kërstanoski, ekspert i Bas Rapid transport.

Ky do të jetë transporti i parë publik i këtij lloji në Ballkan. Për momentin diçka e tillë ekziston në Francë, Izrael dhe Amerikë Jugore. Procedura e tenderit duhet të startojë kah fillimi i gushtit, kurse nëse punët shkojnë siç është planifikuar, i gjithë projekti do të përmbyllet në vitin 2024. Për realizim të këtij projekti, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të japë hua prej 70 milionë eurove, fonde të cilat duhet kthyer brenda 15 vjetëve, me grejs periudhë prej 4 vjetëve. Është paraparë edhe një trase nga Kisella Vodë deri në Butel. Rruga e njohur si “Rekord” dhe pjesa nga Hekurudha e Vjetër deri te Bit Pazari do të shndërrohen në zona për këmbësorë.