Kryeministri Zoran Zaev beson se Qeveria do të jetë e përgatitur që nesër në mbledhje të rregullt ta miratojë informacionin për pakon e pestë të masave ekonomike për ndihmë ekonomisë dhe qytetarëve për shkak të pandemisë kovid.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve Zaevi sot theksoi se po bëhen konsultimet e fundit dhe pas miratimit të masave nga Qeveria do të fillohet me përgatitjen e aspekteve formale-juridike për realizimin e tyre.
“Për pakon e pestë të masave punuam edhe gjatë fundjavës, me ministrin e Financave, nënkryetarin përgjegjës për Çështje Ekonomike, me dikasteret tjerë ekonomikë vazhdimisht ishim në komunikim dhe koordinim, besoj se nesër Qeveria do të marrë vendim për to nëse përgatitet në mbledhjen e saj të rregullt. Mendoj se sot po bëhen konsultimet e fundit, brenda dikastereve dhe me pjesëmarrësit, sindikatat, punëdhënësit, odat, punëtorët dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces. Jemi kah fundi dhe unë si kryetar i Qeverisë besoj se nesër do të jemi të përgatitur që ta miratojmë informacionin komplet me masat, të mund të kumtohen dhe prezantohen dhe menjëherë të hyjmë në përgatitjen e aspekteve formale juridike, ligjeve, dekreteve, vendimeve për zbatimin e tyre”, deklaroi Zaevi, pas nënshkrimit të Marrëveshjes për burime të rinovueshme për tranzicionin energjetik.
Propozimi final i pakos së pestë të masave gjatë fundjavës ishte prezantuar para përfaqësuesve të odave, anëtare të Platformës për dialog publiko –privat dhe odave bilaterale në shtet.
Siç informoi zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, pakoja e fundit për ndihmë për shkak të pandemisë kovid përmban 30 masa të cilat mund të ndahen në katër shtylla: mbështetje financiare për pagesën e pagave dhe ruajtjen e vendeve të punës, mbështetje financiare për likuiditetin e kompanive dhe qytetarëve, masa për rrethinë më të favorshme afariste dhe ndihmë direkte për qytetarët.
Comments are closed for this post.