Ditët janë më të gjata, rrezet e diellit të ngrohta dhe ajri pasurohet me aroma dhe ngjyra. Erdhi pranvera! E bukur dhe e shumëpritur, por me ndryshime për trupin dhe organizmin tonë. Kjo stinë e ëmbël sjell me vete problematika që lidhen me lodhjen, gjumin, lëkurën dhe humorin.
Guy de Maupassant do të thoshte që pranvera sjell me vete aromën e luleve më të bukura dhe pasionin më të flaktë. Ne të “Living”, shtojmë këtu alergjitë, streset, ndryshimet e humorit dhe të gjumit. Pranvera zgjon vërtet natyrën dhe na ngroh zemrat, por njëkohësit është ëndrra më e keqe për ata që kanë vështirësi të përballen me të, duke ia nisur nga orët e ditës dhe të natës, të cilat tek disa individë mund të sjellin ankth, lodhje apo nevojë për gjumë. Janë fenomene normale, që rregullohen brenda disa javëve dhe këshilla më e mirë për këto ndryshime është një stil jete i shëndetshëm dhe një regjim ushqimor i rregullt.
Pse ndiheni më të lodhur gjatë ndryshimit të stinëve?
Është efekti natyral që jep zgjatja e ditës. Drita kontrollon sistemin nervor qendror, i cili ditë pas dite, ul prodhimin e melatoninës, që rregullon ciklin gjumë-zgjim. Për këtë arsye, gjatë javëve të para të pranverës keni më shumë nevojë për gjumë.
Cilat janë ushqimet që ju ndihmojnë të riktheheni në formë?
Çelësi për energjitë e duhura është të ushqeheni në mënyrë të shëndetshme. Është e rëndësishme që frutat dhe perimet të jenë pjesë e regjimit, sipas rregullit “pesë vakte në ditë” (pesë ngjyra të ndryshme çdo ditë), në mënyrë që të garantoni sasinë e duhur të vitaminave dhe mineraleve, por edhe të drithërave dhe bishtajave. Në këtë periudhë është e këshillueshme të përfshini peshkun, i cili përmban Omega 3, një nxitës energjie dhe “mik” i trurit.
Çfarë ushqimesh duhet të largoni nga tavolina në këtë stinë?
Largoni ushqimet që përmbajnë yndyra dhe sheqer, si kremi i qumështit, kremra të tjerë, majonezë, pije me sheqer dhe ushqimet e lehta me shumë kalori. Kështu, shmangni ngadalësimin e aparatit tretës dhe mbingarkimin e mëlçisë. Kini kujdes në përdorimin e djathërave dhe sallameve të pasura me kripë dhe yndyra.
Ekziston ndonjë strategji për pastrimin dhe rigjallërimin e trupit pas dimrit?
Rregulli numër një është që të pini 2 litra ujë në ditë – natyral ose me gaz – me pak lëng limoni. Një mënyrë shumë e mirë për detoksifikim janë pijet me hithra dhe hirra e qumështit, që ndikojnë në pastrimin e mëlçisë. Këto duhen alternuar me pije ose me çaj jeshil, që ka efekt shfryrës dhe antioksidues.
Mëngjesi është vakt i rëndësishëm: si ta nisni ditën në pranverë?
Është e rëndësishme që të përdorni kosin, frutat, produkte integrale, duke marrë dhe disa probiotikë që favorizojnë funksionin e mirë të sistemit imunitar, përpos mirëqenies së zorrëve. E nëse ndiheni shumë të lodhur edhe pas këtyre masave, mund ta nisni ditën me një gotë ujë dhe një lugë magnez. Trupi nuk ka nevojë të shohë kalendarin për të kuptuar që ka ardhur pranvera. Prandaj, për ta bërë sa më të butë dhe më pak traumatik kalimin nga stina në stinë, “Living” sjell rregullat më natyrale për përballjen me stinën e re.
Rregullat për të kaluar krizën e rizgjimit
Më shumë kohë për veten. Zgjidhni një çast të ditës për t’u kujdesur për veten ose pasionet tuaja, që të luftoni stresin dhe nervozizmin.
Merruni me një aktivitet fizik, të paktën 30 minuta në ditë. Sporti është i mrekullueshëm, por nuk duhet të kërkoni shumë nga trupi. Mjafton një shëtitje dhe pak stretching për të çliruar mendjen dhe për të shkarkuar tensionin.
Bëni kujdes me sinjalet që ju jep trupi. Mos i anashkaloni çastet kur ndiheni keq, sepse mund të jenë shenja të një depresioni që mund të zgjasë.
Mos anashkaloni nevojën për të pushuar dhe fjetur. Ndonëse ditët zgjaten, nuk duhet ta lodhni trupin me shumë orë aktivitet dhe pak orë pushim. Përdorni integratorë për të plotësuar boshllëqet që lë një ushqyerje jo e mirë. Vitaminat dhe kripërat hidratojnë organizmin në raste të ndryshimit të temperaturës: ginseng dhe ginkgo biloba ndihmojnë në qarkullimin e gjakut dhe përqendrimin.
Alternoni orët e punës dhe të pushimit. Çdo dy orë bëni një pushim prej disa minutash.
Ndiqni një regjim ushqimor të ekuilibruar. Mos shmangni vaktet, sepse kjo sjell lodhje ju bën të humbisni përqendrimin. Nuk duhet as të mbingopeni, sepse kjo e shton edhe më shumë lodhjen. Është e këshillueshme të alternoni vakte të lehta dhe të shpeshta.
Vishuni si duhet, që të përballoni ndryshimin e temperaturës.
Duhet një veshje e përshtatshme për çdo situatë.
Ujë, ujë dhe vetëm ujë. Hidratimi është një detyrim gjatë gjithë vitit, por sidomos tani që duhet të largoni toksinat e akumuluara gjatë dimrit dhe të përballoni humbjen e djersës, për shkak të vapës.
Kujdesuni për trupin gjatë gjithë vitit, por akoma më shumë në pranverë. Është e rëndësishme të ktheheni në formë ngadalë dhe duke shmangur dietat e rrezikshme me pak kalori.
Gëzoni, është pranverë!
Comments are closed for this post.