Jose Mourinho kishte një kërkesë të pazakontë në stadiumin “Toshe Proeski”, të Shkupit.  Para ndeshjes mes skuadrës së tij, Tottenham dhe Shkëndijës së Tetovës, trajneri kërkoi që portat e fushës të ndryshoheshin. Portugezi kishte një arsye të fortë për këtë kërkesë që e bëri ndërsa dy skuadrat po kryenin nxehjen para fillimit të takimit.

“Ishte një situatë qesharake sepse portieri më tha se porta ishte shumë e vogël”, tha Mourinho në konferencën për mediat pas fitores 1-3 në Maqedoninë e Veriut.

“Shkova për ta parë dhe në fakt ishte shumë e vogël. E kuptova që diçka nuk shkonte dhe i thamë delegatit të UEFA-s, pastaj rezultoi se shtyllat ishin 5 centimetra më të shkurtra. Kërkuam që të zëvendësoheshin dhe të kishin përmasat e sakta”.

Pas kërkesës së Tottenham, portat u zëvendësuan me ato që plotësonin standardet e FIFA-s. Shkëndija këmbënguli që nuk kishte informacion mbi atë që kishte ndodhur në stadiumin e Shkupit, pasi nuk ishte fusha e tyre, duke qenë se stadiumi i Tetovës nuk i përmbush kriteret e UEFA-s.

E duke marrë parasysh këtë fakt, Tottenham vendosi të mos ankohet zyrtarisht ndaj kundërshtarit.

Mourinho nuk e la me kaq habinë e tij, pasi postoi edhe një foto në Instagram, ku shkruante “Mendova se isha zgjatur, por pastaj kuptova se porta ishte 5 cm më e shkurtër”.