Komuna e Mitrovicës ka marrë vendim që të mos dekorojë sheshet e qytetit për festat e fundvitit.

Kjo bëhet e ditur nëpërmjet një komunikate për media nga komuna e Mitrovicës, pas mbledhjes së Bordit të Drejtorëve, njofton Klan Kosova

“Nënkryetari Faruk Mujka, ka thënë se për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19, këtë vit nuk do të dekorohen sheshet e qytetit të Mitrovicës, pasi që prioritet i komunës është shëndeti i qytetarëve dhe mbështetja e familjeve me gjëra ushqimore apo mjekësore që jetojnë në kushte jo të mira ekonomike” thuhet në komunikatë.

Gjatë kësaj mbledhje drejtori i Arsimit në Mitrovicë, Ismet Ferizi, bëri të ditur për mbylljen e disa institucioneve arsimore pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vend.

“Drejtori i Arsimit, Ismet Ferizi, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për mbylljen e çerdhes publike “Gëzimi Ynë”, SHFMU “Eqrem Qabej”, SHMLT “Arkitekt Sinani” si dhe shkollën e muzikës “Tefta Tashko” pas rasteve të konfirmuara pozitiv me virusin CoVid-19 të disa mësimdhënësve dhe nxënësve, ku nga IKShP-ja është kërkuar vetizolimi i stafit dhe nxënësve për 14 ditë, si dhe dezinfektimi i tërë objektit të çerdhes. Me këtë rast, drejtori Ferizi bën të ditur se këto shkolla do të vazhdojnë mësimin online, sipas skenarit C të përcaktuar nga Ministria e Arsimit”.

Po ashtu pas vendimi tëMinistrisë së Shëndetësisë për vendosjen e Mitrovicës në zonën e kuqe, Mujka ka kërkuar nga qytetarët të respektojnë masat në fuqi, si dhe t’u shmangen ambienteve të mbyllura, pasi që këto ditë numri i të infektuarve në komunën e Mitrovicës ka qenë më i madh, dhe sipas tij si pasojë e kësaj janë futur në zonë të kuqe.