Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut merr fitoren e dytë në eliminatoret për Kampionatin Evropian të Futbollit “Gjermani 2024”. Të dy golat u shënuan në pjesën e parë të ndeshjes.

Goli i parë u shënua që në minutën e 5-të të ndeshjes nga Elif Elmas, pas një pasimi të shkëlqyer nga Enis Bardhi.

Maqedonia dyfishoi rezultatin në fund të pjesës së parë, ku Jovan Manev pas rivënie nga këndi të ekzekutuar nga Bardhi e çon topin në rrjetën e Maltës.

Në fund të pjesës së parë, Bardhi dërgoi edhe një tjetër top drejt portës së Maltës, por nuk arriti të konkretizojë.

Në minutën e 66-të, Ezgjan Alioski tenton me një goditje të fuqishme, por topi përfundon në shtyllë, me ndërhyrjen e portierit vendas. Në minutën e 80-të, Miovski godet nga distanca, por edhe në këtë rast pritet nga portieri i Maltës.

Maqedonia ndalet në vendin e katërt, por me pikë të njëjta me Italinë dhe Ukrainën. Sfida e radhës për Maqedoninë do të jetë më 14 tetor, kundër Ukrainës.