Qeveria e Maqedonisë së Veriut thotë se raporti i Bankës Botërore ka vlerësuar pozitivisht masat e kabinetit të kryeministrit Dimitar Kovaçeski për përballje me krizën ekonomike, “duke i konsideruar si më të mirat në rajon”. Por, kreu i Qeverisë, nuk e ka komentuar pjesën e raportit ku tërheq vërejtjen për inflacionin në rritje dhe pritjet për rritjen më të ulët ekonomike në rajon.

Në raportin e publikuar, më 24 tetor, Banka Botërore thekson se rritja reale e Bruto Prodhimit të Brendshëm në Maqedoninë e Veriut në vitin 2022 do të jetë 2.1 për qind, ndërsa inflacioni do të arrijë në 12.1 për qind, ndërsa aktualisht ka arritur në 16 për qind.

Banka Botërore paralajmëron se të ardhurat reale të të varfërve janë reduktuar në mënyrë disproporcionale, ndërsa në të njëjtën kohë ka hapësirë të kufizuar fiskale, rritje të borxhit publik dhe rritje të kostove të financimit.

Por, kryeministri Kovaçevski tha më 25 tetor se raporti i Bankës Botërore jep disa mesazhe të rëndësishme, përkatësisht se Maqedonia e Veriut, sipas tij, ka mbështetjen më të fuqishme në përballjen me krizën.

“Masat që kemi miratuar janë më të mëdhatë në rajon. Me ministrin e Ekonomisë jemi duke punuar për paketën e fundit dhe sapo të jetë gati do ta prezantojmë. Masat ekonomike që kemi miratuar këtë vit, njëra prej 400 milionë eurosh dhe tjetra prej 360 milionë eurosh, janë më të fuqishmet në rajon. Banka Botërore thekson nevojën për targetimin е masave ekonomike gjë që edhe e kemi bërë. Është mirë që çmimi i energjisë elektrike në bursat botërore aktualisht po bie, ndërkohë që jemi duke hartuar masa të reja që besojmë se do të japin rezultate të mira”, deklaroi Kovaçevski.

“Sipas raportit të Bankës Botërore, Maqedoninë [e veriut] e pret recesioni. Lidhja Social Demokrate po e tërheq vendin drejt falimentimit, sepse çdo vit borxhi është më i madh se rritja ekonomike për më shumë se 100 milionë euro”, thuhet në reagimin e partisë opozitare VMRO-DPMNE.

Duke komentuar raportin, opozita maqedonase thekson se në “pesë vjetët e qeverisjes së vendit me LSDM-në, borxhi publik është rritur për më shumë se 2.5 miliardë euro. Çdo vit gjenerojnë një borxh të ri prej 500 milionë eurosh. Dhe, në të njëjtën kohë rritja e Bruto Prodhimit të Brendshëm është rreth 400 milionë euro”.

Opozita thotë se ka plan për përballje me krizën. “Qeveria e ardhshme e VMRO DPMNE-së do të ulë tatimin mbi fitimin dhe tatimin mbi të ardhurat personale deri në 8% dhe do të sigurojë politikë të qëndrueshme tatimore”.

Raporti i fundit i Bankës Botërore, sipas profesorit të ekonomisë, Abil Baush, tregon se institucionet e Maqedonisë së Veriut kanë dështuar në përballjen me krizën ekonomike, si gjatë kohës së pandemisë ashtu edhe tani me krizën energjetike që është shkaktuar nga konflikti në Ukrainë.

Mungesa e një strategjie të qartë ekonomike, sipas tij, ka bërë që Maqedonia e Veriut përveç se po përballet me inflacionin në rritje, ajo gjithashtu po shënon edhe ngecje të shumta në rritjen ekonomike.

“Ne, ashtu sikur edhe shkruan në raport, nuk kemi një agjendë, nuk kemi një renditje të mirë të reformave, nuk kemi hyrë thellë në reforma në administratë, drejtësi, gjyqësor. Sipas raportit, nuk kemi një menaxhim të mirë me mjetet publike, në investimet kapitale. Raporti, gjithashtu, thekson nevojën e kujdesit me borxhin publik apo këtë borxh ta shfrytëzojmë si aset të mirë për stabilizimin dhe zhvillimin e ekonomisë”, thotë Abil Baush.

Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, edhe në dy vitet e ardhshme nuk do të ketë rritje më të madhe se 3 për qind. Qeveria maqedonase me rishikimin e buxhetit kishte paraparë që viti 2022 të mbyllet me një rritje të Bruto Prodhimit të Brendshëm prej 3.2 për qind.