“Dy vjet llogari fiskale, nuk janë vetëm letër me numra, por llogari të cilat qytetarëve u kanë kthyer para. Kthimi i parave tek qytetarët është realitet në shtetin tonë dhe 399 mijë përdoruesve të grupmoshave të ndryshme, në dy vitet e fundit u janë paguar 2.238.340.844 denarë, ose 36.3 milionë euro”.

Këtë sot e tha drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP) Sanja Llukarevska, në konferencë për shtyp, në të cilën njoftoi të dhëna për aplikacionin “TVSH-ja ime”.

Ajo tha se nëpërmjet kësaj mase, qytetarëve u kthehen paratë, zvogëlohet ekonomia gri dhe mbështet prodhimet vendore.

“Në vitin e parë, mbi 670 milionë denarë janë kthyer përmes “TVSH-ja Ime”, në vitin e dytë mbi 1.5 miliardë denarë, ndërsa në tremujorin e parë të vitit, qytetarëve u janë kthyer 413.758.172 denarë. Falë “TVSH-ja ime” një familje prej katër anëtarëve mund të kthejë deri në 28.000 denarë në vit në buxhetin e tyre familjar”, tha Llukarevska.

Ajo theksoi se gjatë krizës së rëndë ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga Kovid-19 përmes “TVSH-ja ime” 5.537 qytetarë dhuruan kthimin e tyre në vlerë prej 5.8 milionë denarëve për sektorin e shëndetësisë.