Gazeta italiane “La Verita” sot ka vazhduar të publikojë detaje nga procesi i furnizimit me vaksina kineze në Maqedoninë e Veriut. E përditshmja italiane sot ka publikuar letrat që ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka dërguar deri tek kompania kineze Sinofram.
Në letrën e Filipçes drejt kompanisë Sinofarm më 25 janar thuhet se autoritetet vendase përjashtojnë kompaninë, pra Kinën, nga çdo lloj përgjegjësi për pasojat e mundshme negative nga përdorimi i vaksinës. Kjo, sipas La Verita, është në kundërshtim me shumë konventa ndërkombëtare dhe është shkelje e misionit themelor institucional, mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.
“Tashmë është e qartë gjatë dhjetorit të vitit të kaluar Kina mori kërkesa, pothuajse në të njëjtën kohë, si nga Maqedonia ashtu edhe nga Mali i Zi. Fakti që vetëm ky i fundit arriti të marrë vaksinat, na tregon se me Shkupin edhe regjimi komunist në Pekin ka probleme në gjetjen e modalitetit për bashkëpunim, në mënyrë që të mbrohet nga kritikat e mundshme në lidhje me menaxhimin e të ashtuquajturës `diplomaci shëndetësore”, shkruan La Verita.
Sipas La Verita, letrat e Filipçes drejt Pekinit, të datës 25 dhjetor 2020 dhe 25 janar 2021, janë shkëmbyer përmes kompanisë “Starbi International” në Hong Kong. Kompania është themeluar në vitin 2017, nuk dihet se sa punonjës ka, dhe nuk ka të dhëna për punë me produkte mjekësore ose farmaceutike.
Gjatë ditës së djeshme, gazeta italiane ka shkruar se arsyeja e kthimit të paradhënies së paguar nga Maqedonia e Veriut për vaksinat kineze është se marrëveshja kishte gjasë të realizohej përmes një ndërmarrjeje kopmanie ndërmjetësuese fantazmë, me seli në Hong Kong, e cila nuk ka themel të fortë, por që posedon depozita të mëdha financiare në bankën gjermane “Deutsche Bank”.
Comments are closed for this post.