Prokuroria Publike e Maqedonisë të hënën ka kërkuar nga të gjitha prokuroritë publike themelore të jenë të ashpra në masat për sanksionimin e personave që mbajnë dhe përdorin armë pa leje dhe lëndë shpërthyese.

Njoftimi i Prokurorisë vjen pas vrasjes së tetë personave afër Beogradit nga një i dyshuar me inicialet U.B, 21 vjeç, më 5 mars, por edhe një rasti tjetër, më 3 mars në Vraçar, ku një nxënës 13 vjeç vrau tetë nxënës të tjerë.

“Kërkoj nga të gjitha prokurorët publikë në Maqedoninë që të insistojnë në sanksione më të rrepta penale për veprën penale – Prodhim, mbajtja dhe tregtim pa leje i armëve apo lëndëve shpërthyese”, thuhet në njoftimin me shkrim të kryeprokurorit maqedonas, Lubomir Joveski.

 

 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme qytetarët e Maqedonisë posedojnë rreth 180,000 armë me leje, kure numri i armëve ilegale vlerësohet të jetë dy herë më i lartë.

Sipas statistikave të kësaj ministrie, interesimi për marrjen e lejeve të armëve është në rritje. Nëse dy vite më parë jepeshin mesatarisht 15 leje çdo ditë dhe vitin e kaluar 16, këtë vit numri është rritur në 17 leje. Sipas kodit penal të Maqedonisë për armëmbajtje pa leje parashihet dënim prej 1 deri dy vjet burg ndërsa në rast se armë pa leje mban një zyrtarë shtetëror atëherë dënimi sillet prej 1 deri 5 vjet burg.

Ndërsa, në rast se me armën pa leje kryhet vrasje, atëherë autori përveç për veprën penale dënohet edhe për përdorimin e armës pa leje mbi 5 vjet burg.

Prokurori Publik i Maqedonisë, Lubomir Jovevski ka kërkuar nga prokuroritë e larta që të reagojnë me kërkesën për dënime me të larta nëse instancat e shkallës së parë vendosin dënime të ulëta.

“Prokuroritë më të larta publike, në rastet e sanksionit të caktuar të butë me aktgjykimet e shkallës së parë, duhet të përpiqen që përmes procedurave të shkallës së dytë të marrin dënime më të larta”, thuhet në mesazhin e Joveski drejtuar prokurorëve.

“Duke pasur parasysh pasojat e mëdha të dëmshme që mund të shkaktohen nga mbajtja pa leje e armëve, nuk duhet të ketë zbutje të sanksioneve për autorët e krimeve të tilla. Arma është mjet për kryerjen e shumë krimeve të tjera dhe nuk guxon të tolerohet përdorimi i saj jashtë kornizës ligjore”.

Ai ka thënë se “tragjeditë me të cilat po ballafaqohet shoqëria serbe janë alarm për institucionet e zbatimit të ligjit që të mobilizohemi për kontroll sa më efektiv të armëve edhe në Maqedoninë”