Përderisa në qytetet tjera si Shkupi, Ohri e tjerë, Kalaja në qytet është atraksion turistik dhe një pikë e bukur për vizitorët, si nga brenda po ashtu edhe nga jashtë shtetit, në qytetin e Tetovës, kalaja, edhe pse ka një histori dhe një peshë të veçantë për qytetin, nuk është asgjë tjetër përveç se një grumbull gurësh, apo një gërmadhë e shkatërruar nga koha e në disa vende, edhe deponi që dita ditës mbushet. E gjithë kjo, nga moskujdesi si duhet si i pushtetit qendror, po ashtu edhe nga pushteti lokal”, raporton gazetari I Alsat, Bashkim Sulejmani.

Rruga që të çon në kala që nga koha e komunizmit nuk është prekur më, ndërsa brendia e kalasë, pa drita, pa infrastrukturë dhe me gurë që zhduken dita ditës nga hajnat, bën që muret e kësaj kalaje dita ditës të zvogëlohen. Ministrja e Kulturës thotë se Kalaja është nën ingerencë të pushtetit lokal.

“Konservimi, restaurimi dhe rinovimi është ingerencë e Institucionit për mbrojtje të trashëgimisë nacionale. Vet menaxhimi me Kalanë ashtu siç është kalaja e Shkupit për Shkupin, është ingerencë e qeverisjes lokale e që do të thotë se qeverisja lokale duhet të merr masa”, u shpreh Bisera Kostadinoska Stojçeska.

Nga Komuna e Tetovës thonë se kalaja është objekt nacional dhe është nën mbojtje të Ministrisë së kulturës. Kërkojnë leje nga institucionet përkatëse që t’i lejohet komunës që të realizoj projektin që ka për kalanë.

“Kalaja e Tetovës është objekt me interes nacional dhe është nën mbrojtje të Ministrisë së kulturës, e po ashtu nga informatat tona, gjithë prona brenda mureve të kalasë ajo është pronë e Kishës Ortodokse të Maqedonisë, andaj gjitha  mundësitë që janë të Komunës është intervenimi jashtë Kalasë. Gjithçka që ka të bëj brenda Kalasë pa miratimin e ministrisë së kulturës, Qendrës për Konservim dhe Kishës Ortodokse, komuna e Tetovës nuk ka ingerenca nuk ka ingerencën më të vogël, edhe përkundër interesimit tonë që ajo pjesë të rregullohet. Sigurisht që për të ardhmen kemi plan për ta rregulluar edhe rrugën që çon te kalaja, edhe hapësira rreth kalasë, e nëse do kemi mirëkuptim nga institucionet që përmenda, ne jemi të interesuar ta rregullojmë edhe pjesën brenda Kalasë së Tetovës”, tha Kasami.

Shkatërrimet më të mëdha të mureve që viteve të fundit po i bëhen kalasë së Tetovës, vijnë pikërisht nga kërkuesit e arit, të cilët nuk kursejnë asgjë historike me idenë se do të gjejnë pasuri të fshehura./ Alsat.mk