Kryetari i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, akademik Lupço Kocarev shprehu qëndrimin e tij sot që konsiston në faktin se akademia është kundër ndryshimit të Kushtetutës, por është pro BE-së.

“Ndryshimin e Kushtetutës është duke e promovuar një aleancë e fshehur dhe mirë e organizuar ndërkombëtare. Kjo është aleancë për ‘luftë të shenjtë’ kundër maqedonizmit, që përbëhet nga forca në Maqedoni dhe në Bashkimin Evropian”, theksoi ndër të tjera Kocarev.

Sipas tij, në Maqedoni promovohen marrëzia, absurditeti, injoranca, lakmia, apatia.

“Nga njëra anë Ndryshimi i Kushtetutës, kurse nga ana tjetër të gjithë ata që do të flasin për maqedonizmin etiketohen si nacionalistë, tradhëtarë dhe gënjeshtarë. Megjithatë, për dallim nga ata që insistojnë për ndryshimin e Kushtetutës në Maqedoni, unë jam i tronditur nga fakti që në Maqedoninë demokratike, në shekullin 21, si qytetar i këtij vendi, jam i detyruar të zgjedh midis këtyre dy opsioneve. Zgjedhja ime, padyshim, është – Jo për Ndryshimin e Kushtetutës dhe Po për BE-në”, deklaroi kreu i Akademisë, Kocarev në një konferencë ndërkombëtare të mbajtur sot në Shkup kushtuar personaliteteve historike.