Sekretari i përgjithshëm i OBRM-PDUKM-së Igor Janushev, sot në konferencë për shtyp njoftoi se partia opozitare do të dorëzojë padi penale dhe ankesa për blerje të votave, agjitacion dhe votim në grup.

Ai tha se qytetarët në zgjedhjet presidenciale treguan se duan ndryshime dhe i kanë goditur politikat e Zaevit dhe qeverisë.

“Vetë në zgjedhje kundër gjithë tjerëve. Kundër gjithë aparatit shtetëror dhe gjithë mekanizmit që ata e vendosën në funksion. Siljanovska dhe OBRM-PDUKM-ja fituan në 42 komuna. Të ishin zgjedhje lokale do të kishin 42 kryetarë komunash, ndërsa po të ishin zgjedhje parlementare do të ishim partia me më shumë mandate”, tha Janushev.

Ndërsa sa i përket rritjes së votave të Pendarovskit, ai tha se është jonatyrore dhe nuk është për shkak të “fshesës” së Zaevit, por për shkak të tregtisë, kërcënimeve dhe shantazheve.