Drejtori i Kopshtit Zoologjik të Shkupit, Kristijan Stamenov, sot ka dhënë një deklaratë për media në të cilën ka njoftuar për disa, siç tha ai, ngjarje të pakëndshme që kanë ndodhur së fundmi në kopshtin zoologjik.

“Së pari, më 10 prill, disa individë bënë një hyrje të paautorizuar, me një grup prej rreth dymbëdhjetë personash, pesëmbëdhjetë minuta para mbylljes së kopshtit. E njëjta është raportuar dhe janë thirrur përfaqësues të MPB-së për të inspektuar hyrjen e paautorizuar të grupit të personave. Më 28 prill, shërbimet në Kopshtin Zoologjik kanë inspektuar vendqëndrimet e kafshëve dhe kanë konstatuar se janë prerë disa dryna, pas së cilës disa kafshë janë lëshuar brenda hapësirës së kopshtit zoologjik. E njëjta gjë u raportua dhe u deklarua herët në mëngjes nga kujdestarët e kopshtit zoologjik të ardhur në punë, se bëhej fjalë për lirim të dukshëm dhe të qëllimshëm të disa kafshëve nga vendqëndrimet e tyre”, tha Stamenov.

Ai tha se ka pasur dhe tentime për grabitje të arkës.

“Pas një frekuentimi rekord në kopshtin zoologjik me mbi 14 mijë vizitorë, më 9 maj në orën 00:30 u tentua të thyhej dera e hyrjes te arka. Autori është kapur nga kamerat e sigurisë në kopshtin zoologjik teksa dy herë ka tentuar të grabisë hyrjen e arkës, supozojmë për të shkaktuar dëm financiar. Mirëpo, personi i regjistruar ka mbetur vetëm në tentativë, pasi siç shihej në video, ai nuk ka mundur të vjedhë hyrjen e biletave dhe arkës”, ka theksuar Stamenov, i cili ka shtuar se pavarësisht se këto ngjarje janë raportuar në organet kompetente të autoriteteve, përkatësisht Ministrisë së Brendshme, është rritur vigjilenca e stafit, si dhe shtohet siguria në turnin e natës.

Drejtori i Kopshtit Zoologjik të Shkupit dënoi ashpër, siç tha ai, të gjitha përpjekjet për të dëmtuar procesin e punës, por edhe sigurinë e kafshëve.

“Shpresojmë se shërbimet e MPB-së do të punojnë intensivisht për identifikimin e autorëve, në mënyrë që të parandalohen tentativa të tilla të mëtutjeshme”, tha Stamenov.